U deshën 86 minuta për gjuajtjen e parë në kuadrat, 99 minuta për të kaluar rezistencën kundërshtare dhe mbi 120 minuta për të përfunduas me sukses misionin deri më sot të pamundur. Liverpuli u bë më në fund fitues i Kupës së Botës për klubet, trofeu i vetëm i madh që i mungonte (bashkë me Kupën e Kupave që sot nuk ekziston më), ndërsa trajneri Jurgen Klop e të besuarit e tij e vazhduan suksesin ndërkombëtar të kohëve të fundit.
Roberto Firmino shënoi golin e vetëm të ndeshjes në stadiumin “Halifa” të Dohës, duke thyer rezistencën e Flamengos së Brazilit, që u paraqit më dobët se të kuqtë, por që nuk deshi të dorëzohej në asnjë moment. “Dua që tifozët të kuptojnë më mirë rëndësinë e këtij trofeu, – tha Klop, – jam i lumtur që ia dolëm, sidomos për shkak të kalendarit të ngjeshur që patëm”. Firmino u bë vendimtar në dy ndeshjet e luajtura në Katar, duke shënuar në sekondat shtesë të gjysmëfinales ndaj Monterreit të Meksikës, dhe tani në finale. Liverpuli ka 62 trofe në histori, duke qenë klubi më i suksesshëm në Angli, përpara Mançester Junajtidit që ka 60.
Sfidanti.al