Milan-Inter? Është një derbi mes Ibrahimoviçit dhe Lukakut!

Që të dy mund ta marrin një dënim sepse prokuroria federale e futbollit e ka ende të hapur hetimin ndaj tyre. Zllatan Ibrahimoviç e Romelu Lukaku do të jenë përballë sërish në një derbi mes Milanit e Interit, dhe dueli i tyre pritet me interesim shumë të lartë për shkak të sherrit që shpërtheu mes tyre në Kupë. Si do të jetë këtë herë një Ibra-Lukaku?

Ish-kampioni i botës, ish-lojtari i Romës, Çiço Graciani thotë se “skorjet” e kaluara do të lihen jashtë fushe, por do të jetë një duel i madh. Ndoshta ai që do të fitojë do të tallet pak me tjetrin, por Graciani shpreson që ata t’i japin dorën njëri-tjetrit. Sipas tij, Ibra mund të quhet pak më i mirë sesa Lukaku vetëm për ndikimin psikologjik tek skuadra, sepse si aftësi janë të dy njësoj.

Andreas Brehme i kritikon Lukakun dhe Ibrahimoviçin për sherrin e kaluar. “Ata gabuan, por mund ta kishin rregulluar situatën nëse do t’i kishin dhënë dorën njëri-tjetrin pas pushimit, – tha gjermani, – ata nuk e bënë, gabuan që të dy”. Kristian Panuçi, ish-trajner i Shqipërisë, thotë se do të jetë duel i madh. “Ibra është më i mirë në zonë, por Lukaku i jep një dorë të madhe ekipit, Konte ka shumë fat që e ka Lukakun”, – thotë ai. Rikardo Ferri, ish-lojtar i Interit, thotë se do të donte që protagonistë në ndeshje të ishin të tjerë, jo Ibra e Lukaku. Ai pret një derbi të fortë, që për herë të parë është për titull pas 10 vjetësh.

Sfidanti.al