Mesi bën magjinë e radhës, Barça shkon e pathyer drejt titullit

Barcelona vazhdoi me fitoret në këtë sezon duke mundur Bilbaon në ndeshjen e vlefshme për ligën spanjolle. Skuadra katalanase triumfoi 2-0 falë dy golave shënuar që në pjesën e parë, me autorë Pako Alkaser dhe Lionel Mesi.

Për Mesin ishte rrjeta numër 25 e kampionatit, ku është edhe golshënuesi më i mirë. Ky sukses bëri që Barcelona të ngjitej në 75 pikë dhe të vazhdojë të jetë në krye të renditjes, me distancë të madhe me ndjekësit. Jo vetëm kaq, por skuadra e trajnerit Valverde mbetet edhe e pathyer në këtë sezon të kampionatit spanjoll.

Në takimin ndaj Bilbaos, katalanasit luftuan fort vetëm në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit u përpoqën vetëm që të administronin lojën për të mos shpenzuar më shumë energji sesa duhet.

Kjo sepse Barça ka një sezon të ngjeshur, duke qenë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, në finale të Kupës së Mbretit në Spanjë, ndërsa do të luajë edhe 9 ndeshje të tjera në kampionat.

Sfidanti.al