Një kapitull i ri nis në karrierën e trajnerit shqiptar, Jeton Beqiri. Pas ndarjes nga Shkëndija e Tetovës gjatë verës, tekniku ka gjetur një tjetër destinacion, duke u transferuar në kampionatin e Azerbajxhanit, ku është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i Gabala-s. Klubi azer ka bërë publike edhe detajet e marrëveshjes, me kontratën fillestare që është e vlefshme për një sezon, ndërsa palët kanë lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit edhe për dy vite të tjera. Beqiri e nisi karrierën si trajner në disa skuadra të Maqedonisë së Veriut, përpara se të merrte drejtimin e Bylisit në Shqipëri. Me klubin ballshiot, tekniku arriti një nga sukseset më të rëndësishme të karrierës së tij, duke siguruar në vitin 2022 ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.
Pas eksperiencës në Shqipëri, Beqiri bëri hapin drejt një tjetër sfide në vitin 2024, kur mori drejtimin e Shkëndijës së Tetovës. Në krye të skuadrës tetovare, ai arriti të fitonte titullin kampion dhe shkroi historinë duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen e klubit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Tashmë, trajneri shqiptar do të provojë veten në futbollin azer, ku synon të vijojë rrugëtimin e tij në një kampionat të ri dhe të ndërtojë një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierë.

