Nejmar, kapriço e radhës; i kërkon 1.3 mln Euro në javë PSG për të qëndruar

Nejmar cdo ditë nxjerr nga një gjë të re duke e pasuruar më shumë ‘telenovelën’ e tij. Këtë radhë bëhet fjalë për pretendimet e tij për të qëndruar  tek skuadra e Paris Sën Zhermenit. Sipas ‘The Times’, braziliani u ka kërkuar drejtuesve të klubit transalpin që të rrisin pagën e tij nga 750 mijë Euro në 1.3 milionë Euro në javë nëse ata duan që ai të jetë pjesë e Paris Sën Zhermen edhe sezonin e ardhshëm

Të gjitha pretendimet e futbollistit u thanë gjatë një takimi mes presidentit të klubit Naser Al Kelaifi dhe përfaqësueseve të Nejmar që kërkuan në të ndryshimin e kushteve të kontratës. Nejmar u transferua te Paris Sën Zhermen për 222 milionë Euro, por vetëm pas disa muajsh u shfaqën zërat për një rikthim të mundshëm të tij në Ligën Spanjolle.

Gjatë kësaj jave në media u publikuan disa nga arsyet që e shtynin Nejmarin që të mendonte largimin nga Paris Sën Zhermen që ishin ndërhyrjet e ashpra të kundërshtarëve, arbitrimi tolerant ndaj tyre si dhe gjendja jo optimale e skuadrave me të cilat përballet skuadra e Paris Sën Zhermenit.

sfidanti.al