Mesi apo Ronaldo, për Geri Linekerin as nuk ka diskutim

Me të parin që realizoi në portën e Çelsit, vendosi një tjetër rekord të karrierës, atë për golin më të shpejtë që ka shënuar ndonjëherë. Lionel Mesit iu deshën vetëm 128 sekonda për ta bërë. Gjithashtu, arriti në 100 gola në Champions, kurse gjatë gjithë jetës me futbollin, e ka dërguar topin në rrjetë 602 herë.

Në studiot televizive nuk mund të mos niste debati se kush është më i mirë, Leo apo Kristiano Ronaldo. Për ish-yllin e Anglisë, sulmuesin e madh të dikurshëm Geri Lineker, nuk ka diskutim. “Them fjalët më të mira për aftësitë golshënuese të Ronaldos, – tha Këpuca e Artë e Botërorit 1986, – por, vetëm ky është krahasimi, pasi numrat mes tyre janë të ngjashëm. Përsa i përket nivelit të futbollit të luajtur, se kush është lojtari më i mirë, këtu nuk ka asnjë krahasim. Mesi është qiellor dhe një gëzim për t’u parë”.

Ronaldo ka shënuar 118 gola në Champions, ndaj 100 të yllit të Barcelonës, por këtë e ka bërë në 154 ndeshje. Argjentinasi ka 123 takime, dhe shifrën 100 e arriti më shpejt sesa CR7-ta. Edhe për golat e shënuar në karrierë, Kristiano ka 641 ndaj 602 të Mesit, veçse ka luajtur rreth 150 ndeshje më shumë.

Sfidanti.al