Mbape vlen më shumë se 5 mungesa, papritur titullar dhe PSG fiton!

Trajneri Tomas Tuhel nuk kishte asnjë siguri se do të përfundonte mirë këtë herë. Nisa mund të mos jetë kundërshtari më i fortë i mundshëm, por mungesat e shumta dhe kriza e kohëve të fundit e bënë teknikun e Paris SG që të rrezikonte. Kilian Mbape, i kthyer në ekip pas koronavirusit, jo vetëm që u përfshi në grupin e futbollistëve për ndeshjen e Ligës së Parë, por edhe u hodh në terren si titullar.

Për fat të mirë gjithçka kaloi mirë, Mbape shënoi golin e parë të ndeshjes me penallti në minutën e 38-të, dhe ndihmoi skuadrën që të fitonte 3-0 jashtë fushe pas golave të Angel Di Marisë dhe Markinjosit. PSG kishte sërish shumë mungesa, plot 5. Nejmar, Kurzaua e Diallo ishin të pezulluar, ndërsa Kehrer e Bernal të dëmtuar.  Gjithsesi, kjo fitore 3-0 nuk duhet marrë për “flori të kulluar” sepse parizienët u ndihmuan edhe nga 5 pritje të portierit Kejlor Navas, ndoshta më i miri lojtar në fushë. Paris SG ka 6 pikë pas 4 ndeshjeve, me dy fitore pas dy humbjeve dhe me shanset për të mbrojtur titullin gjithnjë e më të mëdha, sidomos në pritje të kthimit të yjeve të munguar. Ligën e Parë të Francës e kryeson Rena me 10 pikë.

Sfidanti.al