Inter, pse pate nevojë për 120 milionë euro në 50’ për të mundur Fiorentinën?!

Plani ishte ndryshe dhe përballë një kundërshtari në gjendjen e tanishme duhej të ishte realizuar. Po flasim, veçse për Interin i cili edhe me Konten vazhdon të “çmendet” ashtu si edhe më parë, dhe ja ku rrezikoi eleminimin nga Kupa e Italisë në stadiumin e Fiorentinës. Të kishte qenë ndonjë Fiore e dikurshme hajde de, por kjo e tanishmja? Trajneri zikaltër nuk pati dyshime dhe theksoi me të madhe se “kualifikimi ishte plotësisht i merituar”, por mediat italiane theksuan menjëherë se u desh të hidheshin në fushë 120 milionë euro të rezervuara fillimisht për Juventusin, që objektivi të arrihej.

Në minutën e 70-të, Konte aktivizoi Romelu Lukakun (80 milionë euro kartoni) dhe Ashraf Hakimin (40 milionë), e gjithsesi duhej pritur minuta e parafundit (119’) e kohës shtesë që gjigandi belg të shënonte golin e fitores 2-1. Ishin 50 minuta në fushë për dy lojtarë që duhej të ishin shlodhur. Për habi, zhgenjeu këtë herë Lautaro Martinez, të paktën duke humbur një gol të sigurt në nisje të pjesës së dytë për rezultatin 2-0. Vidal me penallti kaloi zikaltërit në epërsi në pjesën e parë dhe Kuame barazoi pas pushimit, ndërsa gabimin e radhës e bëri Kolarov (sa shumë këtë sezon). Eriksen ishte titullar, por nuk dha atë që pritej dhe Konte mezi po pret që ta largojë.

“Mjaft nga lojtarët dhanë përgjigjen e duhur, – tha trajneri, – kishte mjaft futbollistë që ishin të lodhur, por sakrifikuan deri në fund. Përballë Juventusit do të kuptojmë nëse e kemi ngushtuar diferencën me kampionët. Kualifikimin duhej ta kishim arritur më parë, pasi i patëm rastet. Jam i kënaqur, pasi lojtarë si Kolarov apo Ranokia u përgjigjën mirë. Janë lojtarë seriozë”. Tani, pritet ndeshja me Juven të dielën në Serinë A, dhe çerekfinalja e Kupës ndaj Milanit, me një sfidë të vetme.

Sfidanti.al