Rrëfimi prekës i Corinna Schumacher: Kur dëgjoj këngën tonë, qaj

Corinna Schumacher ka folur rrallë për jetën pranë bashkëshortit të saj, Michael Schumacher, në dokumentarin e ri të Netflix. Bashkëshortja e legjendës së Formula 1 ka treguar momente intime nga historia e tyre e dashurisë dhe vitet e vështira pas aksidentit të vitit 2013.

Corinna zbuloi se kënga “Rush Rush” e Paula Abdul kishte një domethënie të veçantë për çiftin. “Kjo ishte kënga jonë atëherë. Kur e dëgjoj sot dhe jam në makinë, qaj vetëm”, rrëfeu ajo. Ajo kujtoi edhe reagimin e nënës së saj kur mësoi për lidhjen me Michael, pasi fillimisht nuk e kishte mirëpritur romancën.

Në dokumentar, Corinna tregon gjithashtu për fanset e shumta që i shkruanin pilotit gjerman gjatë viteve të tij të lavdishme në Formula 1. Ajo kujton veçanërisht vitin 1994 dhe sukseset e para të mëdha të Michael, duke shprehur emocionet që përjetonte sa herë ai fitonte apo humbiste. “Zemra ime rreh për të kur fiton. Dhe kur humbet. Zemra ime është gjithmonë aty”, shprehet ajo.

Corinna kujton gjithashtu se sa e veçantë ishte të jetonte pranë një njeriu që mezi priste ta shihte çdo ditë. Pas aksidentit të rëndë në ski në Méribel, më 29 dhjetor 2013, familja ka shmangur publikimin e detajeve për gjendjen e tij shëndetësore, duke ruajtur me shumë kujdes privatësinë e Michael.

Në dokumentarin e vitit 2021, Corinna kishte thënë se Michael “është këtu, ndryshe, por është këtu”. Edhe sot, ajo vijon të jetë pranë bashkëshortit të saj dhe mesazhi i saj për familjen mbetet i njëjtë: “Michael gjithmonë na ka mbrojtur dhe tani ne mbrojmë Michael-in”.