Guardiola, ky djalë i Mançesterit që “pushtoi” Anglinë!

Thoshin se futbolli i tij elegant nuk bënte për në “xhungël”. Pep Guardiola i  nxorri të gjithë të gabuar duke zbutur “egërsinë” e Premier Ligës angleze e duke u shpallur kampion 5 javë para përfundimit. Trajneri katalanas u ngjit sërish në majë të lavdisë, siç i ndodhte tek Barcelona, dhe shumë më tepër sesa tek Bajerni, ku fitorja e Bundesligës është normaliteti më normal.

Në çfarë mënyre ai ia doli në Angli? Arsyet janë të shumta, duke nisur nga aftësia e tij profesionale, duke vazhduar me vëmendjen për detajet, e duke përfunduar me diçka tepër të rëndësishme, kuptimin dhe përqafimin e kulturës lokale.

Pasi ishte natyrshëm një katalanas në Katalonjë, ai u bë një djalë i qytetit në Mançester, i frymëzuar më së shumti nga poeti Toni Uolsh dhe nga ylli i muzikës, Noel Gallager. Guardiola urdhëroi ndërtimin e një dhome zhveshjeje rrethore (në foto), dhe vendosi në mur vargjet e Uolshit, “disa lindën këtu, disa erdhën nga diku tjetër, por që të gjithë ne, e quajmë këtë shtëpinë tonë”. Uolsh i shkruajti vargjet pas atentatit me bombë në Mançester, ndërsa Guardiola i shfrytëzoi për unitetin e Sitit të tij.

Jo më kot, Pepi shkoi të ndiqte koncert në “Mançester Arena” pak kohë pas atentatit, i ftuar nga Gallager, madje mori me vete edhe familjen. Ai tregoi se ishte plotësisht dhe familjarisht i lidhur me qytetin.

Një nga gjërat e para që bëri kur u caktua trajner, ishte urdhëri që bari në stadiumin “Etihad” dhe në fushat e kompleksit stërvitor, plus në Akademi, të pritej në gjatësinë 19 mm, aq sa në Barcelonë e Mynih, kur Pepi punoi atje. U bind të lejonte gjatësinë 23 mm vetëm kur i thanë se në Mançesterin verior, bari rritet më ngadalë. Jo vetëm kaq, por shpesh herë ai ecte nëpër fusha vetëm me çorape për të mos e dëmtuar, dhe po ashtu bënte nëpër korridore, për të treguar se ndihej si në shtëpi.

Për seancat stërvitore, ai ishte mjeshtër vetë, ndërsa për dietën ushqimore vendosi rregulla të forta dhe afroi specialisten Silvia Tremoleda. Për më tepër, lojtarët e huaj u urdhëruan të mësonin anglishten, gjuhën e vetme që do të përdorej në skuadër, ashtu siç do të përdorej vetëm një kod veshjeje.

Gjithsesi, Guardiola nuk merrej vetëm me detajet e skuadrës, por edhe me detajet e lojtarëve veç e veç. Ai i dha leje plot David Silvës kur ai pati probleme me lindjen e shoqes së tij. Ai i la pushim lojtarët pas eleminimit në Kupën e Anglisë, dhe po ashtu i çoi në kinema pas humbjes 0-4 me Evertonin.

Natyrisht, nuk mund të nxirret përfundimi se Guardiola është padyshim trajneri më i paarritshëm në botë, të tillë ka disa, por është pa asnjë diskutim një nga më të veçantët dhe nga më fituesit. E tregojnë 23 trofetë që ka marrë në karrierë.

Sfidanti.al