Festë për Rashicën e Pizarron, tjetër mrekulli e Verderit!

Nja 24 vjet më parë, tifozët bardheblu të kryeqytetit të Shqipërisë nisën të thërrisnin, “Partizon, Partizon, Tirona është kampion”! Nuk kishin faj sepse Partizani i Sulejman Starovës mundi 1-0 Teutën, ndërsa tiranasit e Sulejman Memës fituan titullin pas fitores 4-1 në Qytetin e Nxënësve ndaj Albpetrolit. Një gjë e tillë po ndodh në Gjermani, veçse jo për titull, por për mbijetesë. Tifozët e Verderit duhet të thërrasin me zë të lartë emrin e Unionit të Berlinit, që me ndershmërinë maksimale triumfoi 3-0 ndaj Fortunës së Dyseldorfit, duke e zbritur nga Bundesliga e duke mbajtur (për momentin) Verderin, ndonëse për vete e kishin siguruar mbijetesën.

Ky rezultat, kombinuar me fitoren 6-1 të Verderit në “Vesershtadion” ndaj  Këlnit, bëri që skuadra nga Bremeni ta mbyllë sezonin në vendin e tretë nga fundi, të mos bjerë automatikisht tani, por të ketë shpresë për të luajtur një plej aut. Milot Rashica (në foto) festoi siç duhet pasi shënoi një nga golat, në ndeshjen që besohet se është e parafundit për të, përpara se të shkojë në një skuadër më të mirë. Shqiptari i Kosovës shënoi golin e dytë. Sulmuesi i lavdishëm, Klaudio Pizarro, hyri në fushë vetëm për 3 minutat e fundit, për të marrë ovacionin e publikut, pasi pritet të largohet në moshën 41-vjeçare. Një tjetër mrekulli e Verderit, e dyta radhazi, por tani duhet të bëjë mrekullinë e dytë, në dy ndeshje finale me një ekip të kategorisë së dytë.

Sfidanti.al