“Fabrika e talenteve”, modeli nga Gjermania quhet Dortmund

Kur Davidi e mund Goliadhin, populli gëzohet më shumë se kurrë. Një hutim i lumtur ka pushtuar Gjermaninë, ndërsa sundimi i hekurt i Bajernit është bërë “copë e thërrime” nga një “bandë” djemsh të rinj me fanela të verdha e vija të zeza. Historia e “çetës” trime të trajnerit Lysien Favre nuk filloi kur startoi sezoni i Bundesligës apo i Championsit.

Dy prej emrave tepër të dashur për tifozët, Lars Riken dhe Sebastian Kehl, sot nuk janë më lojtarë, por drejtues, dhe kanë ndërtuar një strategji krejt të veçantë. Sa më shumë të rinj premtues e të talentuar, që fluturojnë nëse u ofron mundësinë për të luajtur futboll të ekipit të parë.

Me këtë premtim, Dortmundi shkoi në Angli dhe mori të riun 18-vjeçar Xhejdon Sanço nga Mançester Junajtid, për më pak se 10 milionë euro. Po kjo taktikë u ndoq për Ashraf Hakimin (20 vjeç) që erdhi nga Reali i Madridit, apo Dan-Aksel Zagadu, që u mor në moshën 19-vjeçare nga Paris SG.

Çfarë i solli këta të rinj në “Signal Iduna Park” (ish-Vestfalenshtadion)? Ata gjetën “tokën e premtuar” ku mund të luanin ndeshje të vërteta, me minutazh të madh, diçka që nuk do ta bënin dot tek Siti, Reali apo PSG-ja. Dortmundi është krenar që ka krijuar një skuadër me një grup të madh lojtarësh në 22 vjeç.

Po ashtu, në formacion janë katër futbollistë të krijuar në klub si Rojs, Gëce, Pulishiç apo Brun Larsen, dhe kjo e bën edhe më entuziazte turmën prej 80 000 vetësh në tribuna.

Dortmundi “vret dy zogj me një gur”. Së pari, arrin sukses sportiv, siç po e tregon sezoni i madh në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve, Së dyti, fiton një pasuri me këta talente, kur nisin të kërkohen nga klube të mëdhenj. E tregoi Usman Dembele që u mor nga Barcelona për gati 120 milionë euro, ndërsa Dortmundi nuk kishte shpenzuar ndonjë gjë të madhe për të. Sa për shembull, klauzola e shitjes për Xhejdon Sançon është 110 milionë euro!

Sfidanti.al