Champions: Barça, Dortmund dhe Inter në “Grupin e Vdekjes”

“Llogari të vjetra” dhe duele të rinj ishin ato që dolën nga vazot e shortit të Championsit në Pallatin “Grimaldi”, në luksin e Montekarlos. Së pari le të veçojmë “grupin e vdekjes”, grupin F, ku Barcelona, Dortmund e Inter duket se do të luftojnë për dy vendet e para dhe për kualifikimin, ndërsa Sllavia e Pragës do të synojë të shkaktojë të papritura, me tifozët e saj që të paktën do të lumturohen se në stadiumin e tyre do të vijnë gjigandë si skuadra dhe si lojtarë.

Anglezët morën frymë të lehtësuar dhe komenti i “Deili Meilit” ishte kuptimplotë: Rruga e Lehtë, “Izi Strit” (Easy Street), a thua se po emërtonte ndonjë rrugë në Londër apo Liverpul. Të katër përfaqësuesit e Madhërisë së saj, Mbretëreshës Elisabetë, mund të ndihen të kënaqur. Liverpuli, në grupin E, do të ndeshet me Napolin, Salcburgun e Genkun belg, ndërsa Totenhemi nënkampion i Europës, do të jetë në “vathë” me Bajernin, Olimpiakosin e Crvena Zvezdën në grupin B.

Mançester Siti, që cilësohet si favorit për fitoren e trofeut “me veshë” për këtë edicion, gjithashtu nuk u nda keq në Principatë. Ekipi i Guardiolës u shortua me Shahtarin e Donjeckut, Dinamon e Zagrebit dhe Atalantën e Berat Gjimshitit.

Duele që mbahen mend do të përsëriten, si ai Crvena Zvezda-Bajern, që u ndeshën në 1991 kur serbët (atëherë si jugosllavë) dolën kampionë të Europës. Sërish Barcelona-Inter si sfida Murinjo-Guardiola, po ashtu “luftërat” e vjetshme, Liverpul-Napoli e Juventus-Atletiko, apo si duelet në fazën me eleminim, Real-PSG.

Faza e grupeve nis në 17-18 shtator dhe përfundon në 10-11 dhjetor.

Grupi A – PSG, Real Madrid, Klub Bryzh, Gallatasaraj

Grupi B – Bajern Mynih, Totenhem, Olimpiakos, Crvena Zvezda

Grupi C – Man Siti, Shahtar Donjeck, Dinamo Zagreb, Atalanta

Grupi D – Juventus, Atletiko Madrid, Leverkusen, Lokomotiv Moskë

Grupi E – Liverpul, Napoli, Salcburg, Genk

Grupi F – Barcelona, Borusia Dortmund, Inter, Sllavia Pragë

Grupi G – Zenit St. Peterburg, Benfika, Lion, RB Leipzig

Grupi H – Çelsi, Ajaks, Valencia, Lilë

Sfidanti.al