Fitoi Championsin dhe ishte mbrojtësi më i mirë i kontinentit. U eleminua në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve me Holandën, por kjo ishte një humbje ekipore, jo individuale, ndërsa për 50 ndeshje asnjë sulmues në Premier Ligë nuk mundi ta driblonte. Ky ishte profili i Virgil Van Dajkut, “tulipanit” të “Anfildit”, që u vlerësua nga UEFA si Lojtari i Vitit në Europë. Saktësisht, lojtari i sezonit 2018-2019, edicion në të cilin për vetëm 1 pikë nuk u shpall kampion i Anglisë. Ai fitoi edhe çmimin e Mbrojtësit të Vitit po nga UEFA.
Van Dajku la pas dy legjendat e 15 viteve të fundit, Lionel Mesin e Kristiano Ronaldon. Kjo ishte treshja për çmimin e lartë, dhe fitues doli holandezi. Çmimi nisi në 2011, kur fitues u shpall Lionel Mesi. Argjentinasi është dy herë më i miri, ndërsa rekordin e mban Kristiano Ronaldo me 3 tituj.
Mesi u shpal sulmuesi më i mirë i Europës dhe i Championsit për edicionin e shkuar, pasi fitoi Këpucën e Artë tek të dyja, ndërsa portieri më i mirë ishte Alison i Liverpulit.
Sfidanti.al