Çfarë motivimi do të gjejë Ançeloti, pas 0-4 ndaj Barcelonës?!

Për fat të keq duheshin luajtur dy ndeshje ndaj këtyre “mbinjerëzve”. Napoli nuk ka shumë qejf të luajë dy herë ndaj Barcelonës, dhe këtë e tregoi në duelin e dytë, kur u dorëzua pa kushte të paktën përsa i përket rezultatit, 0-4. Jo vetëm kaq, por pa bërë asnjë gjuajtje në portë, diçka shumë e rëndë për një skuadër që synon titullin në Itali.

Gjithsesi, Karlo Ançeloti prandaj është trajner, që të gjejë “barin magjik” për të hipnotizuar lojtarët dhe mediat (si edhe tifozët), që humbja e rëndë të duket si fitore e fshehtë. “I pakënaqur jam vetëm nga rezultati, – tha ai, – por, dy gola ishin në pozicion jashtë loje. Mora mesazhe pozitive nga skuadra, dhe kjo më gëzon shumë përsa i përket kampionatit. Humbja, ndoshta erdhi edhe nga lodhja e madhe që kishim, pas një muaji stërvitjeje me ngarkesë të madhe”.

Ançeloti pranoi se Barcelona ishte shumë e fortë, dhe në mënyrë logjike mori zotërimin e fushës dhe të lojës, madje duke mos e pasur Leo Mesin, që po riaftësohet nga një dëmtim. Dy herë Suarezi, Grizmani dhe Dembele ishin autorët e golave për katalanasit.

Sfidanti.al