Çfarë ka gjetur Interin e Romën, dy ekipe gjithnjë e më “sëmurë”!

Përballja e fazës së parë ishte për t’u vënë në kornizë. Reklama më e mirë e futbollit, aq më tepër që vinte nga Seria A shumë e nënvleftësuar dhe kritikuar. Ishin në kulmin e formës atëherë Roma e Interi, dhe pakkush u shqetësua të mësonte rezultatin që ishte në favor të milanezëve.

Kanë kaluar disa muaj, por shfaqja e dhënë në “San Siro” ishte si ato pjatat e gjellës që nuk mund të hahen. Çfarë i ka gjetur dy prej ekipeve kryesore të Italisë dhe që drejtohen nga dy trajnerë që pëlqejnë futbollin e bukur?

“Pati frikë për të humbur”, tha Luçiano Spaleti i Interit shprehjen e zakonshme që përdoret në Itali. “Më vjen keq që luajtëm shumë mirë vetëm për një orë, – u shpreh Di Françesko i Romës, – duhej të kishim qenë më konkretë kur patëm epërsinë, por nga fundi u lodhëm, ndërsa patëm edhe mungesa”.

Me Napolin e Juventusin tashmë shumë larg, sezoni interist dhe romanist do të jetë për Championsin, ku duhet të bëjnë llogaritë me Lacion. Për fat të keq, kryeqytetasit as nuk mundin të shënojnë shumë gola, pasi kanë realizuar vetëm 31 në 20 ndeshje, shumë më pak se Lacio, Juventusi e Napoli. Di Françesko, për më tepër, mund të humbasë edhe sulmuesin kryesor, Edin Xheko (që pritet të shkojë tek Çelsi), por premtoi se Raxha Naingolan nuk do të largohet.

Sfidanti.al