Barcelona-Paris-Madrid, a do të ndalet “bredharaku” Nejmar?!

Paraardhësi i tij më i shquar, Pele, nuk e ndërroi Santosin as me arin e gjithë botës. Një pjesë sado e vogël e këtij ari (e rëndësishme, veç) mund të bëjë lehtë që Nejmar ta ndërrojë skuadrën “si mbreti gratë”. Nga Santosi tek Barcelona ishte e kuptueshme, ndonëse nuk u morën vesh mirë makinacionet që desh i çuan në burg të dyja palët.

Largimi nga treshja më e madhe e botës, MSN, u quajt si nevojë e Nejmarit për të qenë “gjel më vete”, për të udhëhequr një skuadër dhe për të fituar Topin e Artë. Si mund të kuptohet, ndërkaq, dëshira e fundit për të braktisur Paris SG dhe për t’u bashkuar me Realin? Në Francë e ka skuadrën që dëshironte dhe ku ai është lojtari më i mirë, por çfarë i mungon? Niveli i La Ligës? Por, a nuk e dinte ai që më përpara se Liga e parë franceze nuk është si liga spanjolle?

E qartë që braziliani as nuk do t’ia dijë për ndjenjat e tifozëve, por mesa duket ai, pas një farë kohe, nuk do që t’ia dijë as për ndjenjat e tij. “Dashuritë” ndryshohen sa hap e mbyll sytë, dhe sapo llogaria bankare nis të rritet fuqishëm. Presidenti i PSG-së, Al Helaifi, ia ka prerë shkurt: “Nejmar, fito Championsin për ne dhe shko kur të duash”. Mëkat, sepse sulmuesi u përshtat shumë shpejt dhe ka shënuar deri tani 24 gola e ka dhënë 16 asistë në 23 ndeshje me PSG-në.

Sfidanti.al