Barcelona ka frikë nga “jeta pa Mesin”, çfarë ndodh nëse legjenda mbetet “spitaleve”?!

Në “Kamp Nou” reagon gjithnjë, por merr edhe lajme të këqia. Barcelona u kthye tek fitorja dhe u shfaq sërish si pretendente për titull në La Liga, duke mposhtur Vijarrealin, por dyshimet për superfuqinë katalanase nuk u larguan. Përtej golave shumë të bukur të shënuar nga Grizman e Artur, katalanasit pësuan një goditje të fortë psikologjike me dëmtimin e kapitenit.

Lionel Mesi pësoi një ndërhyrje të ashpër dhe u detyrua të zëvendësohej në pjesën e dytë, ndërsa sapo ishte kthyer nga një lëndim i mëparshëm, që nuk e kishte lejuar të luante thuajse aspak gjatë sezonit. “Mesi, me shumë gjasë mungon ndaj Getafes në fundjavë, – lajmëron “El Mundo Deportivo” nga Barcelona, – do të bëjë vizita të tjera mjekësore pas dëmtimit ndaj Vijarrealit”.

Në mungesë të numrit 10, skuadra e trajnerit Valverde nuk është e njëjta, për shkak të varësisë së rrezikshme prej tij. Vijarreali reagoi dhe iu afrua barazimit, ndërsa u shfaqën të gjitha dobësitë e kampionëve në fuqi të Spanjës. Përtej harmonisë Mesi-Grizman, kënaqësia për tifozët ishte sërish paraqitja e 16-vjeçarit Ansu Fati.

Nëse Grizman dhe Fati kanë fituar dashurinë e publikut, ndryshe ndodhi me Luis Suarezin, të paktën për këtë ndeshje. Ai ishte larg nivelit të tij të zakonshëm, dhe mori një paralajmërim. “Kamp Nou” dënon Suarezin, – shkruan e njëjta gazetë, – uruguajani u vërshëllye nga një sektor i stadiumit kur u zëvendësua nga Ansu Fati”.

Shpresa e re e Barçës është pikërisht Fati, veçse katalanasit kanë nevojë për një lider që këtë sezon, dhe nuk dihet nëse 16-vjeçari është gati për ta bërë këtë gjë. Shqetësimi është i madh se në çfarë drejtimi do të shkojë skuadra “blaugrana” këtë edicion, nëse Mesi do të mungojë për shkak dëmtimesh. Në moshën 32-vjeçare, legjenda argjentinase duket gjithnjë e më i brishtë, dhe çmimi i Lojtarit më të mirë në botë nga FIFA, duket se iu dha si shpërblim në prag të një pensioni të mundshëm.

Sfidanti.al