A ia vlen një “luftë civile” Bajern-Gjermani, për rivalitetin Nojer-Ter Shtegen?!

E kush mund ta mendonte se puna do të arrinte deri këtu. Gjermania dhe klubet e saj vlerësohesin në një unitet të çeliktë, që gjithë bota ia kishte zili, por duket se ky realitet sot nuk ekziston. Një lajm i jashtëzakonshëm doli në kopertinat mediatike, ai që Bajerni kërcënon me bojkot kombëtaren e vendit të tij.

Presidenti Uli Hënes, me një zemërim që nuk po i shuhet, përkundrazi po i arrin nivele të frikshme, deklaroi se nëse portieri Manuel Nojer nuk do të jetë titullar, klubi i tij nuk do t’i japë Gjermanisë asnjë lojtar.  Kjo, për shkak të rivalitetit të portierit bavarez me numrin 1 të Barcelonës, Mark-Andre Ter Shtegen. Kaq i madh ishte lajmi, saqë tabloidi “Bild” e vendosi në ballë të faqes kryesore, mbi çdo njoftim të politikës apo çështjeve sociale.

Nojer, një nga gardianët më të mirë të botës për shumë vjet, ka qenë vazhdimisht numri 1 i Gjermanisë, duke u shpallur edhe kampion i botës në 2014 në Brazil. Së fundi, Ter Shtegen, gjithashtu një portier i madh, është shprehur i pakënaqur nga roli i zëvendësuesit dhe ka kërkuar më shumë minutazh nga trajeri i kombëtares, Joakim Lëv.

Uli Hënes reagoi ashpër pas fjalëve të Ter Shtegenit, duke krijuar një polemikë të rrezikshme në Gjermani, që nuk la përshtypje të mirë, made pati kundërshtime edhe brenda tek Bajerni. Mbrojtësi Xhoshua Kimih u shpreh se nuk kishte asgjë të keqe tek fjalët e Ter Shtegenit, edhe pse theksoi se përkrah Nojerin si numrin 1.

Gjithsesi, ekziston edhe një arsye tjetër për këtë reagim të egër të Bajernit. Klubi bavarez mbeti i ofenduar dhe i zemëruar 6 muaj më parë kur trajneri Lëv përjashtoi nga kombëtarja tre lojtarë të tij, Tomas Mylerin, Zherom Boatengun e Mats Humelsin. Presidenti Uli Hënes dhe shefi ekzekutiv Karl-Hajnc Rumenige duket se po e lenë mënjanë luftën për pushtet, pikërisht për të mbrojtur futbollistët e tyre.

Sfidanti.al