Uli Hënes, “Mister Bajerni” largohet pas një gjysmë shekulli!

Në atë që do të bëhej shtëpia e tij erdhi “në majë të gishtave”, kur ishte vetëm 18 vjeç. Vetë Udo Lateku e përzgjodhi Uli Hënesin nga Ulmi për Bajernin e Mynihut, dhe kjo ishte ndoshta lëvizja më e madhe në historinë e futbollit gjerman të klubeve. Ky 18-vjeçar sulmues do të bëhej simboli i klubit bavarez për gjysmë shekulli, dhe largimi i tij ndodhi pikërisht sot, pas 49 vjetësh shërbimi thuajse të pandërprerë.

Si lojtar fitoi 3 Bundesliga dhe 3 Champions, në tërësi 8 trofe të rëndësishëm. Në 1979 u detyrua ta linte karrierën në moshën 27-vjeçare për shkak të dëmtimeve, dhe u bë menaxher i përgjithshëm i Bajernit, detyrë që e mbajti për 30 vjet. Nga 2009-ta deri në 15 nëntor 2019 ishte presidenti. Si drejtues, ai fitoi 24 tituj në Bundesligë, 14 Kupa të Gjermanisë, dy Champions, një Kupë UEFA, një Superkupë të Europës, një Kupë të Botës për klubet dhe një Kupë Interkontinentale.

Hënesi ishte nxitësi për të ndërtuar stadiumin e ri, “Alianc Arenën”, që kushtoi 340 milionë euro. Kur nisi punën si menaxher i përgjithshëm në 1979, Bajerni kishte 12 punonjës, 12 milionë marka të ardhura vjetore, dhe 8 milionë marka detyrime. Sot, klubi bavarez ka 1 000 punonjës dhe një xhiro vjetore prej 657.4 milionë eurosh.

Në këtë gjysmë shekulli, pati vetëm dy momente kur ai u largua nga bavarezët, i pari në 1978-79 kur shkoi për pak kohë tek Nyrembergu, dhe në 2014-2016, kur u dënua me burg për shmangie nga taksat. Kjo mbetet edhe njolla më e madhe në karrierën dhe në jetën e tij. Pavarësisht këtij faji, Uli Hënes largohet (zyrtarisht) nga Bajerni si legjenda më e madhe e klubit.

Sfidanti.al