Tifozët kuqezinj, mbledhje ndihmash dhe kontribut vullnetar për viktimat e tërmetit!

I ka njohur e gjithë Europa, por ata nuk janë vetëm për në stadium. Tifozët Kuqezinj kanë reaguar menjëherë pas tërmetit të rëndë që goditi Shqipërinë, duke premtuar ndihmën e tyre. Tifogrupi më i njohur i kombëtares njoftoi në rrjetet sociale se ka hapur një fond solidariteti ku ata dhe kushdo tjetër do të kontribuojë për të mbledhur ndihma për të dëmtuarit nga fatkeqësia natyrore në rrethet e Durrësit, Krujës, Lezhës e Tiranës.

Kontributi mund të jetë financiar apo material, me mjete që mund të ndihmojnë familjet e prekura. Tifogrupi bën thirrje që kushdo që dëshiron të ndihmojë, duhet të kontaktojë përfaqësuesin më të afërt të Tifozëve Kuqezinj. Përveç kësaj, përkrahësit e kombëtares kanë shprehur gatishmërinë dhe dëshirën për të ndihmuar si vullnetarë në operacionet e shpëtimit, qoftë në krah të ushtrisë, të Kryqit të Kuq apo të organizatave të tjera të angazhuara.

Grupimi i Tifozëve Kuqezinj është themeluar 16 vjet më parë, dhe ka qenë e mbetet, mbështetësi kryesor i ekipit kombëtar të futbollit, por edhe i ekipeve të sporteve të tjerë.

Sfidanti.al