“Plisat”, “Dardanët” e “Ballistët”, shqiptarët e gjithë Ballkanit në krah të Shqipërisë!

I përkasin një shteti tjetër, edhe pse flet të njëjtën gjuhë si ne. Tifozët nga Kosova nuk ngurruan të shprehnin përkrahjen e tyre të plotë për shqiptarët e Shqipërisë, sidomos për ata të zonave të prekura nga tërmeti. Ultrasit e Prishtinës, të quajtur “Plisat”, e përjetuan rëndë tragjedinë me humbje jetësh, dhe reaguan menjëherë. “Shqipëri, po na e dridh zemrën, – ishte mesazhi i parë i “Plisave” në FB, – të gjithë po e përjetojmë me dhimbje tërmetin që goditi Shqipërinë, sepse dhimbja e njërit prej nesh është dhimbja për të gjithë. Qofshin me fund këto lëkundje”.

Më pas, “Plisat” kaluan në aksion. “Tani është koha që të veprojmë, – shkruajnë ata në faqen e tyre zyrtare në FB, – ju bëjmë thirrje Plisave dhe qytetarëve të Prishtinës që t’i bashkangjiten aksionit tonë për të ndihmuar të prekurit nga tragjedia në Shqipëri … Po grumbullojmë ushqim e veshmbathje për familjet në nevojë”.

Mbështetje e fortë edhe nga grupimi i ekipit përfaqësues të Kosovës, me emrin “Dardanët”. “Me ty Shqipëri! – shkruajnë ata, – Lutemi për shpirtin e viktimave, për familjet e tyre dhe për të lënduarit nga kjo tragjedi e rëndë!

Nuk mbeti prapa tifogrupi i famshëm i Shkëndisë së Tetovës, me emrin “Ballistët”. Shoqata e themeluar që në 1992, postojnë një fotomontazh nga dëmet e tërmetit, shoqëruar me diçiturën, “të lutemi për Shqipërinë”. Edhe nga këta tifozë të Maqedonisë së Veriut pritet që të ketë ndihma materiale dhe financiare.

Sfidanti.al