Nga Cana tek Mavraj, kombëtarja lutet për Shqipërinë në fatkeqësi natyrore!

Nuk mund të mos reagonin ata që kanë mbrojtur dhe mbrojnë flamurin kuqezi. Futbollistë dhe ish-futbollistë të kombëtares së futbollit kanë reaguar rrufeshën pas lajmeve për tragjedinë natyrore në Shqipëri. Mërgim Mavraj shkruan: i shqetësuar nga tërmeti që ka goditur Shqipërinë dhe shqiptarët. Vëllezër dhe motra, ju ruajt Allahu i Madhërishëm! Kapiteni kuqezi fton që shqiptarët të kenë besim, të jenë të fortë dhe të qendrojnë të bashkuar

Tomas Strakosha, portieri i Lacios, poston një flamur të madh, dhe një shprehje në anglisht, “Lutem për Shqipërinë”! Odise Roshi, një nga lojtarët më të mirë të kombëtares, ka vetëm tri fjalë të ndjera: Lutje për Shqipërinë, në anglisht, dhe me shkronjat të përgjakura, si dhe me simbolin e duarve që luten!

Ja edhe presidenti i Federatës, Armand Duka: “Të gjithë jemi të prekur fizikisht apo shpirtërisht nga ky tërmet shkatërrimtar! – shkruan ai në FB, – Dhimbja jonë e madhe shkon për ata që humbën jetën, ndërsa solidarizohemi me të lënduarit dhe familjet e tyre. Jemi një skuadër me të gjithë shqiptarët, le ta kalojmë këtë ditë të vështirë së bashku”!

Ish-kapiteni i shquar kuqezi, Lorik Cana, nuk mund të mungonte me reagimin e tij. Ai gjithashtu ka postuar thjesht, një flamuri kombëtar me simbolin e lutjes, si dhe me atë të dashurisë dhe shpresës, duke uruar kalimin me sa më pak pasoja të kësaj tragjedie.

Berat Gjimshiti, mbrojtësi i kombëtares dhe i Atalantës në Serinë A, shkruan fjalën tërmet duke pasur në sfond flamurin, si dhe me simbolet e lutjes e shpresës. “Lutje për Shqipërinë”, është shprehja e Taulant Xhakës, mesfushorit të ekipit përfaqësues. Edhe ai ka postuar foto nga rrënojat e tërmetit, si dhe një flamur të vogël kombëtar.

“O Zot, na fal dhe na mëshiro, – shkruan lojtari i krahut, Ermir Lenjani, – se ti je mëshiruesi më i mirë. Amin!” Lutje për Shqipërinë.

Ja edhe mesfushori më i ri i Shqipërisë, Klaus Gjasula, nga Paderborni i Bundesligës gjermane. “Lutje për Shqipërinë”, – shkruan ai, duke shpresuar që Zoti të ndihmojë vendin tonë.

Në këtë linjë edhe shqiptari i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, që po ashtu poston foton me flamurin kuqezi, me shprehjen në anglisht, lutemi për Shqipërinë, dhe me simbolin e lutjes. Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës me origjinë nga Kosova, vendos flamurin shqiptar, foto nga rrënojat e tërmetit, lutje për Shqipërinë dhe shprehjen “Zoti e ndihmoftë popullin shqiptar”!

Sfidanti.al