Sarri bisedon gjatë me Ronaldon, pastaj thumbon kritikët!

Ata duhet ta pranojnë se nuk kanë relata të shkëlqyera me njëri-tjetrin. Mauricio Sarri dhe Kristiano Ronaldo kanë në mes dy zëvendësime, dhe një lloj sfide të portugezit ndaj trajnerit italian, me aktivizimin në kombëtare, pikërisht pas zëvendësimeve. Historia mes tyre vazhdoi me një bisedë të gjatë në mesin e fushës, në stërvitjen për duelin ndaj Atletikos në Champions, diçka që tregoi se jo gjithçka ishte sqaruar, dhe se paskej qenë e nevojshme të diskutohej përsëri.

Sidoqoftë, Sarri nuk tregon bisedat me lojtarët, ndërsa përsa i përket Ronaldos thotë se “kam 3 sulmues shumë të mirë për 2 pozicione, Kristiano është stërvitur mirë, por ende nuk jemi të qartë se në çfarë gjendjeje është”. Trajneri i Juventusit nuk harron të ngacmojë kritikët e tij. “Në fillim gaboja dhe isha një taleban sepse doja të imponoja stilin tim të lojës, – u shpreh ai, – tani jam i çmendur sepse dua që stilin tim të lojës ta përshtas me lojtarët që kam. E sigurt është se nëse do të dëgjoja të gjitha ato që më thonë të tjerët, padyshim që do të çmendesha”. Juventusi luan për vendin e parë në grup ndaj Atletikos, dhe i mjafton edhe barazimi 0-0 apo 1-1.

Sfidanti.al