Ronaldo barazon Aleksis Sançezin, hedh kandidaturën për Topin e Artë

Në moshën që ka, përtej ambicies ka nevojë edhe për sfida të mëdha, nga ato që japin emocione të forta. Kristiano Ronaldos nuk i kanë mbetur shumë gjëra për të arritur në futboll, por si mundet të mos reagojë ai kur rivali “vdekësor” Lionel Mesi arriti në 6 Topa të Artë, dhe kur Zllatan Ibrahimoviçi u kthye në Serinë A për ta sfiduar nga afër. Skena pra ishte ngritur, dhe atmosfera ishte ajo e duhura kur CR7-ta doli në fushën e stadiumit “Alianc” të Torinos për ndeshjen e kampionatit ndaj Kaljarit.

U qëlloi pikërisht sardëve fati i keq të kishin përballë Kristiano Ronaldon më të motivuar prej shumë kohësh. Përfundimi? Ai dihet, superylli portugez shënoi një 3-golësh, dhe shërbeu asistin për Gonzalo Higuainin në fitoren 4-0. Ky ishte tregolëshi i 55-të në karrierë, në një sfidë pa fund me Mesin, tregolëshi i 36-të nëpër kampionate, ndërsa Ronaldo u bë i dyti lojtar në histori që shënon të paktën një 3-golësh në Premier Ligë, La Liga dhe Serinë A. E pra, ishte tregolëshi i tij i parë në kampionatin italian. Portugezi ka tani 13 gola në Serinë A, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë pas Çiro Imobiles që ka 19. Padyshim që e ka hedhur kandidaturën për Topin e Artë këtë vit, me synimin për të barazuar sërish Mesin, edhe pse pas një muaji do të jetë 35 vjeç.

Sfidanti.al