Reali kërkon ndihmë nga Ramos për të shpëtuar Kristianon

Detyrat e kapitenit janë të shumta dhe delikate, aq më shumë kur mban shiritin tek Reali i Madridit. Sergio Ramosit i është ngarkuar përgjegjësia që të ndihmojë Kristiano Ronaldon për t’u kthyer ai i mëparshmi. Një sezon që po shkon drejt fazës finale ka qenë tepër shqetësues për formën e portugezit në kompeticionin kryesor, në La Liga, ndaj edhe drejtuesit, trajnerët dhe lojtarët kanë kërkuar ndihmë nga Ramosi.

Mbrojtësi i qendrës është ngarkuar të ketë një darkë, një takim konfidencial me Ronaldon, dhe ai e ka realizuar diçka të tillë së bashku me Luka Modriçin dhe Marselon. Duket se ai takim nuk e zgjidhi ngërçin dhe presidenti Perez i ka kërkuar sërish Ramosit që të veprojë. Për të mos shqetësuar numrin 7, Zidan hoqi dorë nga blerja e një sulmuesi (që mund t’i rrezikonte vendin), ndërsa për të ruajtur unitetin e skuadrës nuk mori portierin e ri, Kepa. Shpresohet që mbrojtësi me numrin 4 ta realizojë misionin e tij, pasi Ronaldo mbetet ende i rëndësishëm për Realin.

Sfidanti.al