Përplasja e fortë Karrager-Geri Nevil për Granit Xhakën!

Granit Xhaka mund të mos jetë lojtar “i prerë” për Arsenalin! Dakord, ndoshta! Granit Xhaka mund të kritikohet për mënyrën sesi luan! Edhe kjo pranohet! Veçse Granit Xhaka nuk mund të qortohet se nuk e djersin fanelën. Ish-mbrojtësi legjendar i Liverpulit, Xhemi Karrager, i doli në mbrojtje shqiptarit të Zvicrës, të vënë nën një breshëri të tmerrshme kritikash pas ofendimit që i bëri tifozëve të tij.

“Më vjen paksa keq për të, – tha Karrager, ish-kapiten i dytë i Liverpulit, – mendoj se kritikat për një lojtar duhet të jenë kur ai refuzon të luajë, siç bëri Koshielni, jo për Xhakën. Jam dakord, që do të jetë e vështirë për të, që të jetë kapiten tani e tutje, por ai ka luajtur për Arsenalin më shumë ndeshje se kushdo tjetër. Ai nuk pretendon kurrë se është i dëmtuar, ai nuk dorëzohet kurrë. Gabimi më i madh për Xhakën është që nuk u kërkoi falje tifozëve”.

Kjo ishte një mbrojtje dinjitoze, ndërsa kolegu i tij si analist sportiv, ish-mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Geri Nevil, mbajti qendrim tjetër. “Xhaka është i padisiplinuar, – tha ai, – ai bën 400 gabime në çdo ndeshje, dhe nuk kam parë asnjë lojtar që të mësojë kaq pak nga gabimet e tij”. Në të vërtetë, vetë Geri Nevil ka bërë shumë gabime si lojtar, ndërsa Karrager i tha me të drejtë se “ju nuk do të fitonit asgjë tek Junajtidi, nëse nuk do të kishte qenë Sër Aleks Fergusoni”.

Sfidanti.al