Nëse portieri Kepa luan sërish për Çelsin, Sarri më mirë të ikë!

Kur nisin të këqijat, hapi derën. Mauricio Sarri po e kupton tani këtë shprehje, ndërsa problemet tek Çelsi ndjekin njëri-tjetrin. Nuk mjaftoi humbja e hidhur e finales së Kupës së Ligës ndaj Mançester Sitit në “Uembli”, siç nuk kanë mjaftuar rezultatet negative të kohëve të fundit, por iu ngritën nervat edhe nga një “kalama”.

Portieri Arrizabalaga, shkurt Kepa, refuzoi të dilte nga fusha, ndërsa bëheshin gati të gjuheshin penalltitë. Kepa besohet se pësoi një dëmtim, apo pati ngërç, dhe Sarri bëri gati portierin tjetër, Uilli Kabalero, i cili është gjithashtu edhe specialist për penalltitë. Papritur, portieri spanjoll (bask) refuzoi të dilte nga fusha dhe trajneri italian u detyrua të mos i acaronte gjërat më shumë, ndërsa ekipi i tij synonte fitoren e Kupës së Ligës.

Komentet pas ndeshjes ishin të shumta në rrjetet sociale, dhe që të gjitha dënonin rëndë Kepën për mosbindjen. Pati edhe kritika për Sarrin që nuk e vendosi me forcë autoritetin e tij, ndërsa një koment ishte kuptimplotë: Nëse Kepa luan sërish për Çelsin, atëherë karriera e Sarrit ka marrë fund.

Sfidanti.al