Nejmar, dëgjoje Kristiano Ronaldon edhe pse e ke rival!

Paris SG mund të jetë destinacioni i tij i ardhshëm, në një lëvizje që mund të thyejë rekorde. Plot 222 milionë euro janë gati të paguajnë sheikët e klubit francez për të marrë Nejmarin nga Barcelona, dhe përsa i përket rrogës do t’i jepnin diçka të krahasueshme me Mesin dhe Ronaldon. Tundimi është shumë i madh për sulmuesin 25-vjeçar të Brazilit, edhe pse rreziku është i madh që të mos jetë në finalet e Championsit me klubin nga Franca, si dhe të luftojë  në një ligë më pak të fortë sesa ajo e Spanjës.

Për këto arsye, Nejmar duhet të dëgjojë fjalët e Kristiano Ronaldos, edhe pse ndonjëherë thuhet se nuk duhet të marrësh për bazë fjalët e “armikut”. “Nejmar, ti nuk duhet të largohesh nga Barcelona nëse nuk bëhet fjalë për të shkuar tek Mançester Junajtid, – shprehet portugezi i Realit, – ti je në një klub shumë të madh dhe nëse do të ikësh prej tij, duhet të shkosh sërish në një klub shumë të madh. Vetëm Mançester Junajtid mund të jetë i tillë”. Flitet pikërisht për klubin ku Ronaldo luajti për shumë vjet përpara sesa të shkonte në “Bernabeu”, ndërsa Kristiano e ka përjashtuar logjikshëm mundësinë që Nejmar të vijë tek Reali. Për një futbollist të Barcelonës nuk do të ishte diçka shumë e këshillueshme, edhe pse Luis Figo e bëri këtë gjë vite më parë, dhe po ashtu edhe “Fenomeni” Ronaldo.

Sfidanti.al