Trajnerët shkojnë e vijnë, shpenzimet “mbeten”, por trofetë e mëdhenj nuk kalojnë kaq shpesh nga Mançester Siti. Pas blerjes së Benzhamin Mendisë nga Monako për 52 milionë stërlina (rreth 60 milionë euro), mediat britanike shkruajnë se shpenzimet e “qytetarëve” vetëm në prapavijë kanë arritur shifra kolosale vitet e fundit. Nga 2014 deri sot, pra vetëm në 3 vjet, janë nxjerrë nga arkat plot 300 milionë stërlina për portierë dhe mbrojtës, që do të thotë rreth 350 milionë euro nëse do të marrim parasysh ndryshimin e kursit të këmbimit këto kohë. Gjithsesi, kjo nuk ka ndihmuar as që Siti të arrijë në finale, jo më ta fitojë Championsin. Suksesin më të madh e arriti dy sezone më parë Pelegrini që mbërriti në katër më të mirët dhe u eleminua me një gol të vetëm nga Reali. Ndoshta, Guardiola do t’ia dalë më në fund, edhe pse shanset nuk duken shumë të mëdha. Këta vjet, Siti jo vetëm nuk triumfoi në Europë, por edhe nuk mundi të kishte mbrojtjen më të fortë në Premier Ligë, edhe pse shpenzoi shumë më tepër se rivalët pikërisht në këtë repart.
Sfidanti.al