Nejmar, Sançez, Aguero e Kosta, si do të jetë e ardhmja e yjeve të sulmit?!

Anglia, Spanja dhe Franca duket se janë “arenat” e “betejave” më të ashpra të shitblerjeve këtë  verë, ndërsa stina më e nxehtë e 2017-ës duket se do të vendosë fatin e disa prej sulmuesve më të mëdhenj të botës. Duke lënë paksa mënjanë kërcënimin e mëhershëm të Kristiano Ronaldos se do të largohej nga Reali, ata që vërtet mund të lëvizin janë të tjerë.

Besohet e sigurt për Diego Kostën, një nga yjet më të shkëlqyer ofensivë, që  nuk dëshirohet më nga trajneri i Çelsit, Antonio Konte, dhe që i ka të gjitha gjasat (sipas mediave) që të kthehet tek ish-klubi i tij, Atletiko e Madridit. Pritet të vendoset vetëm çmimi, ndonëse ende nuk ka as një ofertë konkrete, ndërsa Kostës do t’i duhej të priste deri në janar për shkak të dënimit të klubit spanjoll nga FIFA.

Aleksis Sançez po ashtu duket i sigurt se do të largohet nga Arsenali, dhe e ardhmja e tij duhet të jetë Paris SG. Klubi francez është gati të japë rreth 50 milionë euro për një lojtar me shumë vlera, kontrata e të cilit përfundon vitin e ardhshëm. Nëse kileni lë Londrën për Parisin, tek PSG vështirë se do të shkonte Nejmar. Ylli më i madh i përfolur i verës (përtej Ronaldos) duket se dëshiron të ndryshojë ambient, mesa duket për t’u ndjerë lider, por vështirë që PSG të shpenzojë për të dy, edhe për Sançezin, edhe për  Nejmarin, aq më shumë mendohet që braziliani po bën edhe lojë për të rritur pagën.

Mbetet Sergio Aguero, për të cilin flitet se interesohet Çelsi. Gjithsesi, shikohet e vështirë që Pep Guardiola të lejojë forcimin e një rivali direkt, dhe po ashtu Konte e ka marrë ndërkaq Alvaro Moratën. Pra, me shumë gjasa, Aguero do të mbetet tek Siti edhe pse Guardiola nuk mund të thuhet se e pëlqen 100 për qind.

Sfidanti.al