Ndryshim skeme dhe formacioni, ja si Reja kërkon fitoren në Moldavi!

Luhet për rezultat, por edhe për të ardhmen. Për këtë arsye, Shqipëria pritet të ketë disa ndryshime në duelin e sotëm në Moldavi për eleminatoret e Europianit. Trajneri Edi Reja gjykon se duhen energji maksimale për të mundur një rival të rrezikshëm në fushën e vet, dhe po ashtu duhen ruajtur disa ekuilibra në skuadër.

Kjo do të thotë se Tomas Strakosha mund t’ia lerë vendin Etrit Berishës në portë, dhe kjo më shumë për të mos mërzitur këtë të dytin, sesa për të ndëshkuar të parin për gabimin e bërë në Turqi. Një shans pritet t’i jepet Marash Kumbullës në qendër të mbrojtjes, një lojtar që shihet si e ardhme e kombëtares. Kjo mund të bëjë që të mbetet në stol Dermaku ose Gjimshiti, por Reja mendon se mbrojtësi i Atalantës i duhet ekipit për shkak të përvojës më të madhe se të tjerët.

Një përpjekje për të fituar ndeshjen duket nga aktivizimi i pritshëm i Odise Roshit në krah, ndërsa në mesfushë besohet se Ledian Memushaj do të ulet në stol për shkak të lodhjes ndaj Turqisë. Në vend të tij, besohet se do të jetë Abrashi, i cili u aktivizua në Stamboll vetëm në pjesën e dytë.

Sulmi nuk pritet të ketë ndryshime, edhe pse Cikalleshi pati dëmtim të premten, por duket se problemi ka kaluar. Ndryshim i rëndësishëm në krahasim me Turqinë do të jetë skema, pasi do të kalohet nga 4-4-2 në modulin klasik të Rejës, 3-5-2.

Formacioni i mundshëm: Berisha – Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti – Roshi, Gjasula, Abrashi, Bare, Lenjani – Cikalleshi Manaj.

Sfidanti.al