Kombëtarja merr shuplakën e dytë nga Ukraina, Panuçi me një projekt “fantazmash”

Ata që prisnin një reagim, më mirë mosv ta kishin parë ndeshjen. Kombëtarja shqiptare pësoi një tjetër humbje të rëndë atë ndaj Ukrainës, fare pak ditë pas katastrofës me Kosovën, duke pranuar plot 7 gola në vetëm dy përballje. Me apo pa mungesa, me apo pa lodhje, çdo fjalë do të ishte një justifikim dhe asgjë më shumë për një ekip që po zhgënjen po aq fort, sa kishte dhënë shpresë pas ndeshjeve me Spanjën, Italinë e Turqinë.

Përse kështu? Arsyet mund të jenë të shumta, që nga mungesat, rënia e formës së lojtarëve, aktivizimi i paktë i shumë prej tyre, dhe po ashtu ndoshta mungesa e përvojës së trajnerit për të menaxhuar një situatë të tillë. Nuk bëri punë ndryshimi i modulit të lojës nga Panuçi, as disa zëvendësime në formacion, po ashtu as edhe zëvendësimet. Kësaj kombëtareje asgjë nuk mund t’i bënte derman, dhe lutjet janë të gjitha që të mos jetë kështu në shtator kur të nisë Liga e Kombeve.

Ukraina pati epërsi të plotë dhe ia arriti shumë lehtë qëllimit përballë një kundërshtari që, as nuk diti të mbrohej, as të sulmonte dhe që nuk qe në gjendje të qarkullonte topin. Në një fushë sportive, të padenjë për miqësore mes dy kombëtareve të respektuara, ekipi sllav e bëri detyrën siç duhet.

Natyrisht, pritet rikthimi i shumë prej protagonistëve të zakonshëm, pritet edhe reflektimi i Panuçit, por nëse trajneri kërkonte disa përgjigje nga dy miqësoret, ato ishin krejtësisht negative, me përjashtim të Ndojit që shënoi golin e parë në përfaqësuese.

Në prag të duelit ndaj Kosovës, Panuçi guxoi të thoshte se ekipin e kemi të fortë dhe mund ta fitojmë grupin tonë në Ligën e Kombeve. Tani, as vetë nuk e beson atë që tha, ndërsa pozicioni i tij padyshim është rrezikuar jo pak.

Sfidanti.al