Champions League nuk duhet të rrezikohet për asgjë. Interi nuk mund të pranojë të “djegë” një kompeticion që e fitoi me aq shumë vuajtje dhe që do të jetë “frymëmarrja financiare” e klubit për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, në një futboll që i ngjan gjithnjë e më shumë xhunglës, rreziqet janë “tek dera” dhe drejtuesit zikaltër duhet të jenë gati.
Si i bëhet të mbajnë kapitenin Mauro Ikardi (po ashtu mbrojtësin Shkriniar), largimi i të cilit do të shkatërronte jo pak projektin dhe do të tërbonte tifozët? Si i bëhet të përforcohet skuadra dhe, njëkohësisht, të gjenden 45 milionë euro për të “shëndoshur” buxhetin, në pritje të inspektimit të UEFA-s (në 30 qershor), që do të japë ose jo licencën për pjesëmarrje në Champions?
Çështje të koklavitura, por Interi ka vetëm një rrugë, atë që të mbajë fort kapitenin dhe të rregullojë bilancin, pra të sakrifikojë jo vetëm përforcimet, por edhe diçka nga skuadra aktuale. i shënjestruar për t’u larguar mund të jetë Marcelo Brozoviç, pasi kroati pritet të sjellë 25 milionë euro fitim (transferim mbi 30 milionë, blerja kushtoi 8). Po ashtu, kroati tjetër Ivan Perishiç, i cili mund të sjellë plusvalencë 20 milionë euro (nëse shitet rreth 40 milionë). Së fundi, Nagatomo mund të transferohet për 3 milionë euro.
Nga të rinjtë, drejtori sportiv Auzilio (në foto) mund të fitojë gjithashtu diçka (Pinamonti, Pushkash), dhe kështu për trajnerin Spaleti mund të siguroheshin disa të ardhura edhe për të blerë ndonjë lojtar gjatë verës.
Sfidanti.al