Terri Venejbëlls, i lumtur që Anglia zgjodhi Harri Kejnin kapiten

Ka qenë trajneri i fundit që afroi shpikësit e futbollit tek lavdia. Terri Venejbëlls, një nga trajnerët më simpatikë ishullorë, udhëhoqi Anglinë deri në gjysmëfinalet e Euro 1996-ës, ku u eleminua me penallti nga Gjermania, ndërsa sot mendon se një nxënës i tij mund të përsërisë suksesin, madje të bëjë edhe më shumë.

Garet Sauthgejt ka qenë futbollist i Anglisë nën drejtimin e Venejbëllsit, madje ndaj gjermanëve humbi një 11-metërsh, por sot ka marrë detyrën e ish-mjeshtrit, dhe e ka kënaqur ish-mësuesin e tij me zgjedhjen e kapitenit. “Jam i lumtur që Sauthgejt zgjodhi Harri Kejnin si kapiten, – u shpreh ish-trajneri i Barcelonës, – Kejn është njeriu më i përshtatshëm për të udhëhequr ekipin në fushë, për të bërë detyrën më të rëndësishme në skuadër. Ai ka një marrëdhënie të shkëlqyer me trajnerin dhe është një personalitet e profesionist i madh”.

Anglia nuk e fiton Botërorin që nga viti 1966, kur fitoi të parin dhe të fundit, veçse të luajtur në truallin e saj. Nuk dihet sesa gati është skuadra e “tri luanëve” për të përsëritur heroizmat e asaj të Sër Alf Ramsejt, por Venejbëlls mendon se skuadra e sotme është mjaft e fortë. Sauthgejt besohet se ka zhdukur klanet, që kanë sjellë dështimet radhazi, dhe ka krijuar një kombëtare të bashkuar.

Sfidanti.al