Skënderbeu e Luftëtari pa “mik”, Dinamo pret me 500 milionë lekë në xhep!

Një kampionat thuajse përgjysmë në ajër. Nëse vjet filloi me dhunë dhe tmerr, këtë sezon Superliga e Shqipërisë nuk dihet se çfarë përbërjeje do të ketë. Skënderbeu e Luftëtari cilësohen si klubet më të rrezikuar për t’u zbritur në Kategorinë e Parë, ndërsa Dinamo e Besa jepen si kandidatët më të mundshëm për t’i zëvendësuar, edhe pse zyrtarisht ka përgënjeshtrim.

Shefi i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysien Nurishmi, pohoi në një komunikim telefonik për Abc Neës-in se këto janë lajme mediatike dhe aspak të vërteta. Burimet në Federatë informojnë po për Abc Neës se ka një situatë të tensionuar për shkak të ndërhyrjeve të gjithashme, dhe një pasiguri për të ardhmen.

Katër klube janë paralajmëruar që më parë se mund të përjashtohen për shkak të borxheve, por Tirana, Flamurtari e Vllaznia besohet se do t’ia hedhin pa u dënuar, të paktën sipas burimeve në Federatë. Skënderbeu i shtohet kësaj liste pas konfirmimit nga KAS të dënimit të UEFA-s, edhe pse presidenti Takaj ka deklaruar se nuk heq dorë. Burime në klub pohojnë se synimi është të mbahet statusi në Superligë, ndryshe çështja e UEFA-s nuk merret në shqyrtim nga Gjykata Federale në Zvicër.

E paqartë gjendja e Luftëtarit pas largimit të presidentit Tavo, pasi klubi ka borxhe, ndonëse Bashkia do të vazhdojë ta japë pjesën e saj prej 300 milionësh lekë të vjetër.

Tek Dinamo kanë shpresë, madje jepet e sigurt se nëse ekipi ngjitet në Superligë, do të vazhdojë sponsorizimi nga familja e njohur e biznesit, Nuri, ku bën pjesë edhe zv. presidenti i Federatës, Lutfi Nuri. Donatorët kanë premtuar buxhet deri në 500 milionë lekë të vjetër, gjithnjë nëse luhet në Kategorinë Superiore. Problem është stadiumi, por mund të ketë marrëveshje me Durrësin apo ndonjë fushë tjetër, ndërsa pak besohet që Dinamo të shkojë në Korçë, siç janë lajmet në media.

Në Grupin B të Kategorisë së Parë, radha për Superligë i takon Besës, por stadiumi i Kavajës është në gjendje të keqe, ndërsa më pas vijnë Egnatia e Rrogozhinës dhe Lushnja.

Sfidanti.al