Eriksen, Megajer, Kulibali? Solskjer shprehet i kënaqur edhe pa ta!

Mançester Junajtid ka kërkuar nga Totenhemi që të mbahet i informuar mbi zhvillimet lidhur me yllin e londinezëve, Kristian Eriksen. “Djajtë e kuq” po ashtu mbeten me shpresë për të marrë Harri Megajerin nga Leisteri, dhe nëse mbrojtësi i Anglisë nuk vjen, në “Old Traford” po mendojnë të “thyejnë bankën” për të marrë Kulibalin e Napolit. Këto janë manovrat në Mançesterin “e kuq”, pa harruar “sagën” 90-milionëshe për Romelu Lukakun, apo atë 170-milionëshe për Pogbanë, veçse trajneri Ole Gunar Solskjer thotë disa fjalë që habisin.

“Edhe sikur të mos vijë më asnjë lojtar tjetër, unë jam i lumtur me skuadrën që kam, dhe gati për të nisur sezonin, – tha norvegjezi, cituar nga mediat britanike, – nuk ndihemi aspak të shqetësuar. Jam i lumtur me dy lojtarët që kemi marrë. Natyrisht, kemi planet tona, por nuk do të nxitohemi, do të veprojmë me kujdes”.

Junajtid ka shpenzuar rreth 75 milionë euro për të marrë dy lojtarë, Aron Uan-Bisakën dhe Dan Xhejmsin, ndërsa në planet e Solskjerit është edhe Shon Longstaf. Nuk dihet se çfarë lëvizjesh mund të ndodhin deri në 8 gusht kur nis Premier Liga, dhe kur është afati i fundit i transferimeve në Angli.

Sfidanti.al