Po na bien të këqijat, thotë Mema, por Tirana doli “gjallë” në Kupë

Në kampionat nuk është se i ka ecur aq shumë me këtë skuadër, por në Kupë ndoshta do të jetë ndryshe. Tirana barazoi 0-0 në fushën e Luftëtarit në gjysmëfinalen e parë duke qenë tani më e favorizuar për kualifikimin për në finale. Trajneri Mema, me shumë telashe në lojë e në rezultate në Superligë këto javë, për pak sa nuk përjetoi një përvojë të keqe pas duelit në Gjirokastër.

Era e fortë bëri që tabela e reklamave të klubit vendas të zhvendosej dhe gati t’i binte në kokë teknikut bardheblu. Për fat, gazetari Sokol Xhihani, që kishte shikim të mirë nga ajo që po ndodhte, reagoi në kohë duke mos lejuar që tabela të binte mbi Memën. “Po na bien edhe tabelat tani, – tha me të qeshur ai, – po na ndjekin të gjitha të këqijat”. E keqja më e madhe që mund t’i bjerë mbi kokë bardhebluve është rënia nga kategoria, pasi ndodhen në vend të tretë nga fundi me vetëm 2 pikë më shumë se Kastrioti. Nuk dihet nëse do të kemi një skuadër që fiton Kupën dhe që bie nga kategoria, por tifozët bardheblu shpresojnë që kjo të mos ndodhë.

Sfidanti.al