“Holandezi fluturues”, më i miri i Premier Ligës për shokët e tij

Titulli i Lojtarit të vitit është vërtet demokratik pasi jepet nga futbollistët profesionistë. Në Premier Ligë këtë sezon këtë çmim e fiton Virgil Van Dajk, “holandezi fluturues” i Liverpulit, që la në vend të dytë, yllin sulmues të Mançester Sitit, Rahim Stërling. Ky ishte mendimi i shokëve të tij, lojtarëve të 20 skuadrave, duke vlerësuar maksimalisht kontributin e mbrojtësit të qendrës në arritjet e mëdha të të kuqve të Jurgen Klopit.

Van Dajku u votua për cilësitë e tij të shkëlqyera, duke ndihmuar Liverpulin sidomos në mbrojtje, por edhe në organizimin e lojës si dhe në goditjet standarde duke shënuar gola. Skuadra e tij nuk ka fituar ende asnjë trofe këtë sezon, dhe kjo e bën edhe më të vlefshëm çmimin e Van Dajkut. Në listën e ngushtë të përzgjedhur nga shoqata e lojtarëve profesionistë ishin edhe Sadio Mane i Liverpulit, Sergio Aguero e Bernardo Silva të Mançester Sitit si dhe Eden Hazar i Çelsit. Ky ishte çmimi i dytë radhazi i Lojtarit të vitit fituar nga Liverpuli, pasi vjet atë e mori Mohamed Salah. Ky çmim do të dorëzohet të martën.

Sfidanti.al