Kukësi e ka autostradë në Elbasan, Vllaznia “prenoton” plej autin në Korçë!

U lodhëm duke dyshuar gjatë gjithë jetës, por në fund të fundit, një njeri që vë në përdorim trurin nuk mund të mos dyshojë. Kukësi fitoi 3-0 ndaj Teutës në “Elbasan Arena”, me lehtësinë më të madhe dhe me të tre golat në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit pati 3 kartonë të kuq. Pas barazimit 0-0 në të njëjtin stadium në Kupën e Shqipërisë, dy ekipet u dukën të transformuar, dhe tani dyshimi mund të arrijë në parashikimin se Teuta do të kualifikohet për në finalen e Kupës, për të synuar një trofe dhe për të kapur Ligën e Europës nga “rruga numër 2”.

Limaj në 5’ e Kuper në 12’ e 35’ ishin autorët e golave për skuadrën e trajnerit Orges Shehi. Pas pushimit, Aleksi mori të kuq për Teutën në 54’, Beqja në 65’ duke shkaktuar penallti në favor të Kukësit, dhe Krasniqi la veriorët me 10 vetë në 83’. Penalltia në 67’ u gjuajt nga Musolli, por u prit nga portieri Frashëri. Pas kësaj ndeshjeje, Kukësi është vetëm 4 pikë larg Tiranës kur janë në lojë edhe 9 të tilla, pra padyshim që ka shpresë, aq më tepër që fitoi ndeshjen direkte në fushë kundërshtare. Teuta ka 53 pikë dhe është sërish në zonën europiane, sidomos duke pasur parasysh kombinimet edhe për Kupën, ndërsa ndeshjen e radhës e ka në Durrës ndaj Partizanit.

Sonte në mbrëmje u luajt edhe një ndeshje tjetër e javës së 33-të të Superligës. Skënderbeu fitoi në Korçë 2-1 ndaj Vllaznisë, duke e dënuar ekipin shkodran që të jetë thuajse me siguri të plotë në zonën e plej autit për mbijetesë në kategori. Gripshi kaloi korçarët në epërsi shpejt, Krymi barazoi në 72’, por ishte një shkodran që “vuri veton” ndaj shkodranëve, Pusi duke shënuar në 90’.

Java 33: Kukësi-Teuta 3-0, Skënderbeu-Vllaznia 2-1, Laçi-Luftëtari 3-1, Partizani-Tirana 1-1, Flamurtari-Bylis 2-3.

Renditja: Tirana 66, Kukësi 62, Laçi 55, Teuta 53, Skënderbeu 51, Partizani 49’, Bylis 47’, Vllaznia 42, Flamurtari 14, Luftëtari 14.

Sfidanti.al