Nga Red Bulli tek … Red Bulli, si e ndihmoi Salcburgu, Lajpcigun të bëhej i madh!

Ka shumë mënyra në biznes për t’u ardhur “rreth e përqark” rregullave, dhe për t’u bërë i fuqishëm. Si gjithnjë, duhen lidhje, pasi i vetëm nuk ia del dot, dhe kështu bëri kompania e madhe austriake Red Bull që investoi tek klubet e futbollit në Salcburg (Austri) dhe Lajpcig (Gjermani). Në vitin 2012, sulmuesi Roman Valner kaloi nga Salcburgu tek Lajpcigu, një lëvizje që shumëkush nuk e kuptoi në atë kohë, pasi Salcburgu po shpallej kampione e Austrisë dhe do të merrte pjesë në Champions, ndërsa Lajpcigu ishte në kategorinë e katërt gjermane. Lëvizjen e kuptuan mirë ata që e bënë, pasi gjetën një mënyrë për të furnizuar me “mall të lirë” një klub që duhej të bëhej i madh në Gjermani, diçka shumë më e rëndësishme sesa të ishte i madh në Austri.

Kanë kaluar 8 vjet dhe koreanojugori He-Çan Huang u bë lojtari i 19-të që bën rrugën Salcburg-Lajpcig, vetëm me “biletë vajtjeje”. Nëse Valner shkoi falas, koreani pati një çmim në karton (9 milionë euro gjithsej), dhe Lajpcigu ka paguar 100 milionë euro në 8 vjet për 19 lojtarë. Një biznes, sepse do të kishte paguar shumë më tepër nëse lojtarët do t’i kishte marrë nga klube të tjerë, ndërsa ka fituar shumë sepse i ka transferuar dukshëm me fitim. Shembulli më i mirë është Nabi Keita që shkoi tek Liverpuli për 30 milionë euro. Siç thotë Ernst Taner, trajner i të rinjve të Salcburgut në vitet 2012-2018, “pa Salcburgun, Lajpcigu nuk do të kishte qenë ky që njohim sot”.

Sfidanti.al