Atalanta mund të matet me Juven në Torino, penalltitë shpëtuan kampionët!

Nuk pati protesta të rëndësishme për 11-metërshat dhe Kristiano Ronaldo u tregua i saktë e gjakftohtë për dy gola të tjerë në karrierë, veçse kryefjala e ndeshjes së Serisë A në Torino ishte Atalanta. Përfundoi 2-2 sfida kryesore e javës mes Juves dhe ekipit të Gasperinit, duke treguar se bergamaskët këtë vit janë në gjendje të maten edhe me kampionët, madje edhe në fushën e këtyre të fundit.

Madje, ishin dy herë në avantazh falë golave të Duvan Zapatës (pasim i Gomezit) dhe Ruslan Malinovskit (shërbyer nga Muriel), së pari në 45-minutat e fillimit, dhe pastaj pas pushimit. Dy golat me penallti të Juves erdhën në pjesën e dytë, akorduar për prekje të topit me dorë, dhe ekzekutuar saktë nga Ronaldo. Atalanta nuk arriti të ngushtonte diferencën me kreun, dhe as të kapte vendin e dytë, por sërish konfirmoi sezonin e madh që po zhvillon. Në vend të tretë me 67 pikë ndaj 68 të Lacios e 65 të Interit, ndërsa Juvja mbetet e para me 76. Jo më kot, “La Gazeta delo Sport” thekson se “DEA” tronditi kampionët, dhe se vetëm penalltitë e Ronaldos i shpëtuan.

Sfidanti.al