Një Barçë me “paterica”: Krijon Mesi, shënon Vidali, pret Ter Shtegeni!

Ju lutemi tifozëve të harrojnë formulat me inicialet e emrave, si MKI (Mesi-Ksavi-Iniesta), MSN (Mesi-Suarez-Nejmar) apo MSG (Mesi-Suarez-Grizman). Barcelona e sotme nuk është një recetë spektakli, por një formulë për të marrë maksimumin kur nga “gjashtë pistona” punojnë vetëm dy. Ka ikur koha e tiki-takës, e futbollit eksploziv e të paparashikueshëm të Pep Guardiolës e Luis Enrikes, pasi katalanasit e kanë humbur ADN-në, dhe për të marrë pikët sot nuk është takati e frymëzimi i dikurshëm.

Në fushën e Vajadolidit, formula ishte ajo e kohëve të fundit, ku dy “të panjohura” dihen gjithnjë se kush janë, Mesi e Ter Shtegen, ndërsa një element ndryshon sipas radhës. Herë Suarez, herë Grizman, herë Fati, ndërsa këtë herë ishte Arturo Vidal. Lionel Mesi krijoi golin, Vidali shënoi për epërsinë 1-0, dhe Ter Shtegen bëri detyrën me pritjet e tij. Kjo do të thotë se Barcelona ka 79 pikë ndaj 80 të Realit (që ka luajtur një ndeshje më pak), dhe kjo do të thotë se madrilenët nuk dalin dot kampionë të hënën, nëse fitojnë ndeshjen e radhës. Jo keq për një ekip “Rakiti-k”, që nuk dihet nëse do të ketë forca për të kaluar “peshat e rënda” në Champions. Rrofshin Mesi e Ter Shtegeni.

Sfidanti.al