Egbo: Jam tirons i vjetër dhe nigerian i vjetër, himnin shqiptar e kam kënduar!

Është njeriu i ditës nëse flet për futbollin. Vjet ishte Skënder Gega i Partizanit, “romanca” e të cilit u ndërpre shpejt me dorëheqje, ndërsa këtë korrik është Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës. i ftuar në studion e Abc News-it, tekniku bardheblu pati një bisedë me “menu” të pasur, nga futbolli, tek bindjet politike dhe familja. Së pari, Egbo e pa të udhës të tregonte kurset e kualifikimit në FSHF, për trajner të parë, që nga niveli C, B, A e në fund Pro, pra deshi të thoshte se nuk kanë pse ta quajnë trajner portierësh.

Së dyti, ai theksoi se mbetet njeri i thjeshtë që nuk “merr kot” nga suksesi, pasi Emanueli si njeri është diçka tjetër, dhe si trajner i Tiranës, një tjetër. Padyshim, nuk mund të mungonte besimi tek Zoti, që për Egbonë është “Alfa” dhe “Omega” e jetës së tij. Dakord, është formimi dhe zgjedhja e tij, dhe duket se është e ndershme, një mënyrë jetese, jo një mënyrë për të siguruar jetesën, siç bëjnë shumë të tjerë.

Egbo habiti jo pak kur tha se do të shkonte të votonte, dhe se do të zgjidhte atë që bënte punën, ndonëse nuk tha se për këtë do të hidhej vota e tij. Pasaportën shqiptare e ka, jetën në Shqipëri e njeh mirë, ndonëse të shoqen e ka nga Filipinet, ndërsa dasma ishte edhe shqiptare, edhe nigeriane, edhe filipinase, pa harruar Këngën e Tironës, në krye të vendit. Nuk mungoi batuta: Jam nigerian i vjetër, dhe tirons i vjetër, si dhe pohimi se e di përmendësh himnin e Shqipërisë dhe se e ka kënduar!

Sfidanti.al