Jo vetëm se Fergusoni! “Van Gali më lart taktikisht se Hajnkesi”!

Tek Mançester Junajtidi, këtë e kanë thënë dy legjenda si Rajan Gigsi dhe Uejn Runi, por ja që del dikur që ka qenë tek Bajerni dhe përsërit të njëjtin mendim: Luis Van Gal ishte taktikisht një trajner më i mirë sesa legjendat e këtyre klubeve, Sër Aleks Ferguson e Jup Hajnkes! Këto fjalë i thotë kroati Danijel Pranjiç, që luajti dy vjet në Bavari nën drejtimin e teknikut holandez.

“Ai është profesionisti më i madh i futbollit që unë kam hasur ndonjëherë, – shprehet Pranjiç, – ishte i fiksuar pas filozofisë për të luajtur në mënyrë të përsosur, sa më me saktësi të ishte e mundur. Ne, lojtarët përfituam shumë prej tij, por gjithsesi Van Gali ishte një person i vështirë për të punuar dhe me të nuk mund të vazhdoje më shumë se 1 vit. Kjo, për shkak të mendimit të tij se gjithçka duhej bërë në përsosmëri. Ne nuk kishim liri dhe rëndom atmosfera jonë në stërvitje nuk ishte aspak e çlirët”. Pranjiç kujton se Riberi u përplas me Van Galin për rolin në fushë.

“I heq kapelen Hajnkesit dhe sukseseve të tij, por duhet të them se Van Gali ishte taktikisht superior në lidhje me njohuritë për futbollin, askush nuk mund të krahasohej me të”, – përfundon kroat 38-vjeçar.

Sfidanti.al