“Bildi” e quan Mats Humelsin, kapiteni pa shirit i Dortmundit!

Me të drejtë dhe u deshën vetëm 11 muaj për të kuptuar se çfarë lëvizjeje të madhe kishin bërë drejtuesit e Borusias. Për Mats Humelsin u paguan 30.5 milionë tek Bajerni, dhe mbrojtësi i qendrës u kthye në shtëpi. Gjatë këtij sezoni, 31-vjeçari u tregua si lojtari më i mirë i repartit difensiv, me 64.59 për qind fitore në duele (370 ndërhyrje për top), dhe 76.64 për qind fitore në duelet ajrore. Në krahasim me tij, 24-vjeçari Manuel Akanji është më poshtë, përkatësisht me 61.74 e 63.46 për qind.

Stili udhëheqës i Humelsit u dallua shumë qartë në derbin e Ruhrit ndaj Shalkes, luajtur pa spektatorë. Në mungesë të zhurmës së publikut, mikrofonët që ishin pranë fushës, kapën gjatë gjithë kohës udhëzimet e mbrojtësit veteran, që luajti rolin në mungesë të kapitenit Marko Rojs, që është i dëmtuar. Jo më kot, e përditshmja “Bild” shkruan për të se “Humelsi është kapiteni pa shirit i Borusias”. Po ashtu, kthimi i tij i suksesshëm është në kontrast me kthimet e hidhura të Mario Gëces, Nuri Shahinit dhe Shinji Kagauas.

Sfidanti.al