Fiton Granovskaja, Juventusi “e bleu” trajnerin Sarri

Fjala ishte për një kalim pa probleme nga Londra në Torino. Juventusi ishte shprehur se nuk e kishte traditë që të paguante kartonin e trajnerëve të tij, gjë që nuk kishte ndodhur as me Herrerën, Trapatonin, Lipin, Ançelotin, Kapelon, Konten apo Alegrin. Gjithsesi, këtë herë u gjendën përpara një situate të ndryshme, pasi kandidati i tyre, Mauricio Sarri, kishte edhe dy vjet të tjera kontratë me Çelsin dhe blutë nuk kishin ndërmend ta humbisnin për asgjë.

Marina Granovskaja, shefja e operacioneve në “Stemford Brixh” (krahu i djathtë i Roman Abramoviçit) ua bëri të qartë këtë përfaqësuesve juventinë, të kryesuar nga Fabio Paratiçi, që kishte fluturuar me ngut për në kryeqytetin britanik. Juventusi pagoi 8 milionë euro për Sarrin, që në fund të fundit fitoi Ligën e Europës me Çelsin, si dhe doli në finalen e Kupës së Ligës në Angli.

Tashmë, 60-vjeçari napolitan do të firmosë kontratën 3-vjeçare në Torino, me rrogë rreth 7 milionë euro në vit, më shumë sesa rroga e Çelsit, më pak se 6 milionë. Tashmë, kampionët e Italisë do të përpiqen të marrin lojtarët që dëshiron trajneri dhe të largojnë të tjerë, ndërsa Çelsi pritet të ulë në stol legjendën Frenk Lampard.

Sfidanti.al