Gara e rrogave për De Ligtin: 6, 10 dhe 12 milionë euro në vit!

Nëse do të ishte puna për rrogën, përfundimi do të ishte i qartë që tani, Paris SG. Klubi francez ofron më shumë se kushdo tjetër për Matijs De Ligtin, yllin e Holandës dhe të Ajaksit, duke mos u lënë shpresë rivalëve. Gazeta katalanase “Sport” shkruan se Barcelona e quan thuajse të humbur kapitenin 19-vjeçar, pasi publikoi diferencën e ofertave të klubeve. PSG jep 12 milionë euro në sezon, Juventusi arrin në 10 milionë, ndërsa Barça … 6 milionë euro. Rrogë e jashtëzakonshme për një 19-vjeçar, por ja që realiteti i futbollit është tjetër. Nuk dihet sesa mund të jetë oferta e Mançester Junajtidit, por klubet angleze janë në gjendje të konkurrojnë fuqishëm financiarisht.

Mbetet të shihet se çfarë dëshiron De Ligti, dhe se çfarë do të vendosë edhe Ajaksi apo agjenti i lojtarit, Raiola. Me shumë gjasë, edhe oferta për kartonin do të jetë më e lartë nga Paris SG, por ndoshta mund të rivalizohet nga Mançester Junajtid. Thuhet se familja e De Ligtit është në Paris (ndoshta duke kërkuar shtëpi), dhe nëse është e vërtetë kjo, PSG-së i duhet thënë “ta gëzoni holandezin”.

Sfidanti.al