A besohet Guardiola, ankohet për mungesë parash tek Siti!

Shumëkush u habit kur Mançester Siti u tërhoq nga gara për të marrë Aleksis Sançezin, duke humbur derbin me Mançester Junajtidin. Pati nga ata që thanë se vetë Sançez nuk kishte siguri për të qenë titullar në “Etihad”, si në “Old Traford”, apo që Guardiola nuk kishte nevojë të shpenzonte kaq shumë, ndërsa ka mjaft futbollistë në sulm.

Është vetë Guardiola që zbulon një të vërtetë tjetër, ose të paktën versionin e tij të së vërtetës. “Ne nuk mund të përballojmë shpenzime të tilla për të blerë lojtarë, – u shpreh trajneri i ekipit të një klubi që ka shpenzuar këto vite thuajse më shumë se kushdo tjetër në botë, – ne nuk mund të japim rroga të tilla”.

Pep e pati fjalën për rrogën-bazë prej 350 000 paund stërlinash për Aleksis Sançezin, që u dha nga Murinjo, ndërsa fitimi total i kilenit do të arrijë besohet në 600 000 paund në javë. Po ashtu, trajneri i Sitit e pati fjalën për shpenzimin prej 75 milionë paund stërlinash që bëri Liverpuli për mbrojtësin Van Dajk.

“Që të garosh në 4 kompeticione dhe të fitosh duhet të kesh 22 lojtarë të nivelit të lartë, – argumentoi katalanasi, – por, sot është shumë shtrenjtë sa nuk mund të blesh. As edhe Siti. Ka shumë njerëz që nuk më besojnë, por nuk i kemi këto para”.

Sfidanti.al