Golden Stejt Uorriors-Boston Sëlltiks mund të jetë finalja e madhe e plej ofit në qershor. Basketbolli amerikan e provoi një shije të saj kur dy skuadrat më të mira të konferencave u ndeshën në Arenën e Oklendit, në Kaliforni. Fituan vendasit, ata të Golden Stejtit, por vetëm 109-105 dhe falë një Stefën Kërri të shkëlqyer.
Kapiteni i Ndeshjes së Yjeve shënoi 49 pikë në vetëm 36 minuta, në një paraqitje “eksplozive”, edhe u desh një duel me yllin e miqve, Kajri Irving, që shënoi 37. Kërri kapi 4 topa në tabela, shërbeu 5 asistë, vodhi dy topa dhe e humbi vetëm një herë topin për vete.
Shumë lart edhe Drejmond Grin me 15 pikë, 11 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa mirë luajti edhe Kevin Durant (20 pikë, 9 topa në tabela), por jo kapiteni Klej Tompson.
Bostoni e nisi më mirë ndeshjen duke qenë 10 pikë përpara në mbyllje të periodës së parë. Në mbyllje të së dytës avantazhi zbriti në +4 pikë, ndërsa perioda e tretë u mbyll me Golden Stejtin në epërsi prej 7 pikësh, 80-73. Gjithsesi, pjesa e katërt dhe e fundit ishte shumë e fortë dhe rezultati ishte në ekuilibër, duke pasur edhe barazime (si 95-95).
Golden Stejti kryeson Perëndimin dhe mbetet skuadra më e mirë e NBA-së me 40 fitore e 10 humbje (Hjustoni ka 13 humbje), ndërsa Bostoni pësoi disfatën e 15-të (35 fitore), duke qenë thuajse baraz me Toronton në krye të Lindjes.
Sfidanti.al